AlbanianSport.com 24.02.2017 11:15
ASNN – Barazimi i Kukësit në Laç dhe suksesi i Partizanit në derbi me Tiranën ka bërë që diferenca mes tyre në renditjen e Kategorisë Superiore të jetë vetëm 4 pikë. Të besuarit e trajnerit Sulejman Starova po kalojnë një moment të mirë dhe janë të bindur se edhe në Kukës do të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive.
Por, përballë është ekipi më i mirë i kampionatit që nuk njeh humbje pas 22 ndeshjesh të zhvilluara. Megjithatë, të kuqtë janë të bindur se nëse përsërisin takimin me Tiranën, në fund do të dalin me kokën lart nga Kukësi. Në këtë sezon vendasit janë superiorë në përballjet direkte me Partizanin, por edhe me Skënderbeun.
Në dy ndeshjet e para të besuarit e trajnerit Ernest Gjoka kanë regjistruar nga një fitore dhe një barazim me dy rivalët. Duke u bazuar në ndeshjet e fundit në kampin kukësian janë të bindur për forcën e tyre dhe në shtëpi përballë tifozëve nuk mendojnë asnjë rezultat tjetër përveç fitores.
Kjo, sepse, në rast të kundërt, në rast të një rezultati negativ, Skënderbeu, që ndjek nga pas, mund të ngjitet në krye. Sa u përket të gjitha përballjeve mes tyre në kampionat, “Demat e kuq” janë superiorë me 8 fitore në 13 sfida, kukësianët kanë regjistruar vetëm 2 fitore ndërsa 3 takimet e tjera kanë përfunduar në barazim.