AlbanianSport.com 10.01.2017 18:55
ASNN – Përgatitjet për gjysmën e mbetur të sezonit, që përkojnë edhe me merkato e janarit, nuk mund t’i shmangeshin edhe ndryshimeve në organikë, teksa ekipet shqiptare mundohen të korrigjojnë të metat e vërejtur në gjysmën e parë dhe të mbushin boshllëqet e krijuara rrugës për arsye të ndryshme.
Kështu, një pjesë e skuadrave shqiptare, që në fakt janë plot 6 ekipe të Kategorisë Superiore, po përgatiten në Antalia të Turqisë, ku po shikojnë edhe lojtarët e rinj. Te Kukësi, mbrojtësi i ardhur nga Greqia, Simon Rrumbullaku është vlerësuar nga trajneri Ernest Gjoka me paraqitjen e bërë përballë Bashakshehirit.
Ekipi që kryeson renditjen e Kategorisë Superiore, që e humbi 1-3 miqësoren me turqit, zyrtarizoi edhe një afrim, mesfushorin brazilan Elton Cale. Ndërkohë, tek Partizani, pas afrimit të Methju Bonifejsit dhe Xhevahir Sukajt, që pritet të zyrtarizohet, mediat sportive përmendin emrin e ish-lojtarin e Laçit, Marko Cetkoviç.
Një tjetër skuadër pretendente për titullin, Skënderbeu, që po plotësohet me kalimin e ditëve po provon disa lojtarë të huaj. Ata janë rumuni Kornel Petresku, kandezi Henson Boakai dhe nigeriani Çarls. Por vendimin përfundimtar për të ardhmen e tyre me bardheblutë do ta marrë stafi teknik.
Një zhvillim interesant është ai se Tirana po interesohet ende për një “ish” si Elis Bakajn. Pas largimit nga Kroacia, ku provoi fatin me RNK Splitin, ai po kërkon një ekip të ri, por zgjedhja e parë është jashtë Shqipërisë. Me Flamurtarin në Antalia është bashkuar edhe afrimi i fundit mbrojtësi, Ivan Jakovljeviç.