AlbanianSport.com 01.10.2016 17:05
ASNN – Kukësi ka fituar 1-0 me Partizanin në javën e 5-të të Kategorisë Superiore. Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka ka mundur 1-0 Partizanin falë golit të realizuar nga Pero Pejiç në pjesën e dytë. Një fitore e merituar kjo për Kukësin, që ngjitet tashmë në vendin e dytë me 9 pikë. Kjo sfidë u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, Kukësi ka siguruar një fitore të çmuar në javën e 5-të të Kategorisë Superiore, pasi ka mundur Partizanin 1-0. Në Stadiumin “Zeqir Ymeri:, skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka ka zhvilluar një lojë të mirë dhe arritur të marrë tri pikë që e ngjisin Kukësin në vendin e dytë në renditje me 9 pikë. Ndeshja nis vrullshëm nga ana e të dyja skuadrave.
Janë vendasit që në minutën 23-të ndërmarrin një sulm me anë të kapitenit Hallaçi nga krahu i majtë i sulmit. Krosim në zonë, por gjuajtja e Lenës pritet nga portieri Hoxha. I menjëhershëm reagimi i Partizanit. Dy goditje radhazi brenda zonës së Kukësit me anë të Trashit dhe Bathës, por topi përfundon mbi shtyllën horizontale të portës së vendasve. 45 minutat e para mbyllen me rrjeta të paprekura, megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave.
Pjesa e dytë nis me gol për Kukësin. Kapiteni Hallaçi, me një sulm të shpejtë nga krahu i majtë, kalon mbrojtësin e të kuqve, Ibrahimin, harkon në zonë dhe Pejiç kërcen me kokë duke fituar duelin me Atandën dhe shënon. 1-0 për Kukësin. Partizani përpiqet të reagojë por pa sukses. Në të 79-ën minutaë, Karioka harkon nga e majta, duke përfituar nga një gabim i Ibrahimit, Pejiç sërish rrezikon me kokë por nuk godet siç bëri në rastin e golit.
Në minutën e fundit të takimit, Partizani tenton barazimin me anë të Ibrahimit, por goditja e tij me kokë përfundon jashtë kuadratit. Me fitoren 1-0 të Kukësit ndaj Partizanit mbyllet takimi në Stadiumin “Zeqir Ymeri”. Ndërkohë që nuk justifikohet irritimi i tifozëve të Partizanit në shkallët e stadiumit të Kukësit, të cilët hedhin sende të forta në drejtim të tifozëve vendas. Duhet ndërhyrja e forcave të rendit për t’i shpërndarë tifozët dhe për të siguruar udhëtimin e kryeqytetasve drejt Tiranës.