Adriatik Balla 23.05.2015 17:10
Kukësi ka siguruar vendin e dytë në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, pasi fitoi dje në fushë të huaj në Vlorë ndaj Flamurtarit me rezultatin 2-1. Hysa dhe Gjinaj shënuan për kukësjanët në pjesën e dytë, duke i dhënë Kukësit tri pikë dhe ekipi verilindor gjendet në kuotën e 75 pikëve, duke e mbyllur sezonin me mjaft sukses si “nënkampion”.
Kjo është hera e tretë radhazi që Kukësi shpallet “nënkampion”. Ndërkohë, shansin për trofe Kukësi e ka javën e ardhshme, ku do të përballet në finale me Laçin. Pritet të jetë një ndeshje shumë e fortë, pasi Laçi e ka opsionin e fundit për Ligën e Evropës pikërisht fitimin Kupës. Por, nga ana tjetër, kukësjanët e duan trofeun për vete pas këtyre viteve të suksesshme.