AlbanianSport.com 24/02/2021 23:10
ASNN – Përveç duelit Laçi-Partizani, dueli tjetër i fortë, i cilësuar edhe si një finale e parakohshme, ishte edhe ai Teutës dhe Kukësit. Dhe Drejtori Sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, ishte i pranishëm në shortin e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ku goglat e vunë përballë skuadrën verilindore me kampionët e Teutës. Kukësianët do të jenë mysafirë në “Niko Dovana”. Në prononcimin për mediat pas shortit, Nexhipi foli për këtë përballje si dhe për ecurinë e deri tanishme të Kukësit.
“Një short interesant, Teuta është ekip mjaft cilësor dhe normal që do të jetë një përballje e vështirë, – ka deklaruar ai fillimisht. – Është përballje me një ndeshje të vetme, ai që do të japë maksimumin atë ditë, besoj që do të kalojë më tej. Ne e dimë që e dimë që tani jemi larg kreut të tabelës dhe do të synojmë që këto ndeshje që kanë mbetur të afrohemi sa më shumë, sepse ka edhe shumë ndeshje që kanë mbetur.”
“Sidoqoftë do të luftojmë që të bëjmë më të mirën dhe ta mbyllim sa më mirë këtë sezon, – ka vijuar zyrtari i verilindorëve. – Jemi larg është fakt, por duhet të bëjmë më të mirën në këto ndeshjet që kemi tani dhe të marrim maksimumin nga çdo ndeshje. Kemi pasur shumë oshilacione këtë sezon dhe kjo na ka penalizuar në situatën tani ku ndodhemi. Sidoqoftë kemi lojtarë mjaft cilësorë, shpresoj që do të dalim nga kjo situatë.”
“Fitorja e Kupës nuk mund ta themi që është shpëtimi i sezonit, gjithsesi ne futemi çdo vit për trofe, jemi larg Vllaznisë të vendit të parë. Do të bëjmë maksimumin që ta mbyllim këtë sezon me një trofe. Nuk kishim preferencë në short. Më mirë do ishte të përballeshim në këto moment me një ekip më të dobët, edhe pse e theksoj, janë ndeshje me 1 takim dhe mund të ndodhë çdo herë befasi”, – ka përfunduar Drejtori Sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi