Adriatik Balla 29.07.2015 07:55
Kukësi ka bërë një ecuri fantastike në Ligën e Evropës këtë sezon, pasi ka kaluar dy ture dhe po sfidon në turin e tretë eliminator nënkampionen e Polonisë, Legian e Varshavës. Kuksianët kanë bërë gjithçka mirë dhe janë të gatshëm të bëjnë maksimumin dhe të kualifikohen për në “play-off”-in e kësaj veprimtarie.
Skuadra e drejtuar nga trajneri brazilian Marcelo Troisi duket e motivuar dhe ka premtuar se do të bëjë më të mirën e saj për t’ia arritur qëllimit, e bindur se ka forcat e duhura fizike e teknike për ta përballuar si duhet nënkampionen polake. Trajneri Troisi ka besim se skuadra do ta mundë Legian e Varshavës dhe do të kualifikohet.
Ai ka besim tek grupi dhe është shprehur se do të zbresë në fushë me synim të qartë për të fituar. “Ne kemi bërë përgatitjet e duhura për këtë sfidë dhe shpresojmë të fitojmë”, – ka thënë braziliani i stolit të verilindorëve.
“Kam besim tek skuadra dhe, pavarësisht se nuk do të jetë e lehtë, jam i bindur se ajo do ta interpretojë si duhet takimin dhe do ta mundim Legian”, – përfundoi Troisi, i cili, duke folur pas përfundimit të seancës së mbrëmshme stërvitore në “Qemal Stafa”, siguroi e asgjë nuk është e pamundur dhe Kukësi synon kualifikimin për në “play-off”.