AlbanianSport.com 08.01.2016 18:25
ASNN – Kukësi është nisur për në Ulqin për të vazhduar fazën përgatitore, ndërsa me ekipin janë bashkuar edhe dy sulmues. Pasi e ka mbyllur stërvitjen e fundit në Shqipëri, ekipi verilindor do të kërkojë ta gjejë në Ulqin formën më të mirë për të arritur synimet e fazës së dytë.
Nën drejtimin e trajnerit tashmë të vetëm, Klodian Duro, skuadra veriore u stërvit për gati 2 orë në Kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës, përpara sesa të merrte rrugën për në qytetin shqiptar të Malit të Zi, ku do të qëndrojë 12 ditë. Bashkë me ekipin janë edhe dy lojtarë të rinj.
Më i rëndësishmi duket sulmuesi Izair Emini, e ardhur nga Maqedonia. Futbollisti shqiptar ka shkëlqyer në kampionatin fqinj në radhët e Shkëndisë së Tetovës dhe të Renovës, duke u shpallur sezonin e kaluar si shënuesi më i mirë me 20 gola. 30-vjeçari i lindur në Tetovë ishte sërish më i miri tek Renova edhe këtë edicion.
Dhe kukësianët besojnë se ai do t’i ndihmojë të kalojnë krizën e golit. Sulmuesi tjetër i ardhur është braziliani Uilliam Gomesh Da Silva. Kukësi e mbylli vitin 2015 në mesin e tabelës së renditjes së Kategorisë Superiore, por jo shumë larg vendit të 3-të, ndërsa është paraqitur shumë më dobët se vjet kur u shpall “nënkampion”.