AlbanianSport.com 09.11.2014 22:05
ASNN – Kukësi ka mundur me vështirësi sot Laçin në “Zeqir Ymeri” dhe tashmë kryeson krahas Tiranës në vendin e parë. Ndeshja e zhvilluar në qytetin verilindor, e vlefshme për javën e 12-të të Kategorisë Superiore ishte e zbehtë në raste dhe përfundoi me rezultatin minimal 1-0 për kuksianët.
Goli i vetëm i Lushtakut në minutën e 77-të, ka vendosur fatin e ndeshjes në Stadiumin “Zeqir Ymeri”, duke ngritur në festë tifozerinë vendase. Pas kësaj fitore, Kukësi ndan kreun e renditjes me skuadrën 24 herë kampione të shqipërisë, Tiranën, në kuotën e 25 pikëve.
Një pikë më poshtë janë Partizani dhe Skënderbeu, ndërsa pjesa tjetër e klasfikimit është larg grupit të kreut, çka lë të kuptosh se do të jenë pikërisht këto katër skuadra që do luftojën për trofeun e kampionit. Java e 12-të e Kategorisë Superiore është mbyllur në Fier me përballjen Apolonia-Flamurtari.
Kjo javë nisi një ditë më parë, me takimin midis Teutës dhe Elbasani, që është luajtur të shtunën pasdreke dhe është mbyllur me fitoren e papritur të miqve me rezultatin 2-0, dhe ka vijuar me dy ndeshjet e orës 17:00. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht njërin prej këtyre takimeve, atë midis Tiranës dhe Vllaznisë.
Tirana ka përfituar më së miri nga humbje 0-3 që Partizani pësoi në Korçë ndaj Skënderbeut, duke fituar minimalisht ndaj Vllaznisë, duke marrë kreun e renditjes së Kategorisë Superiore pas 12 javësh, të cilin tashmë e ndan me nënkampionen e sezonit të shkuar, Kukësin.