Adriatik Balla 01.08.2015 16:10
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) do të marrë një vendim më datën 3 gusht në lidhje me ndeshjen Kukësi-Legia e Varshavës, të ndërprerë në minutën e 52-të. Organizmit që qeveris futbollin evropian ka nisur zyrtarisht një hetim në lidhje me ndeshjen e vlefshme për turin e tretë eliminator të Ligës së Evropës, duke bërë të ditur se Komisioni i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s do të shprehet në lidhje me atë që ngjau në “Qemal Stafa” në datën 3 gusht 2015. Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga një komunikatë zyrtare e Legias së Varshavës që ka komunikuar vendimin pas korrespondencës zyrtare me UEFA-n.
Legia gjithashtu ka bërë të ditur se në pritje të këtij vendimi klubi nuk do të pezullojë shitjen e biletave për ndeshjen e kthimit që, nëse respektohet programi, do të luhet të enjten e 6 gushtit në orën 21.00. Ndeshja Kukësi-Legia tanimë kthehet në objektin e drejtësisë sportive dhe pavarësisht pretendimeve të palëve, nënkampionët e Shqipërisë rrezikojnë shumë në organet e UEFA-s, duke qenë se ishte pikërisht Kukësi skuadra organizatore të ndeshjes duke i rënë në këtë mënyrë edhe përgjegjësia për ndërprerjen e ndeshjes. Kukësi nuk pajtohet me atë që ngjau në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Por, në të njëjtën kohë, Kukësi nuk pajtohet me vendimin e gjyqtarit për ta ndërprerë ndeshjen kundër Legias së Varshavës, prandaj po përgatit dosjen me argumente për mbrojtje para komisionit disiplinor të UEFA-s. Shefi i klubit, Jonuz Hallaçi zbulon për mediat hapat që do të ndiqen në instancat e UEFA-s ku do të vendoset për fatin e ndeshjes dhe klubit verilindor pas episodeve të pakëndshme që u regjistruan mbrëmjen e së enjtes në “Qemal Stafa”. “Vazhdojmë punën për grumbullimin e materialeve për provat juridike dhe ligjore për të kundërshtuar me forcë vendimin arbitrar të gjyqtarit të ndeshjes, i cili nuk ndoqi hapat e rregullores së futbollit”, – tha ai.