AlbanianSport.com 26.07.2015 12:30
ASNN – Pas fitores historike 4-2 dhe lojës të shkëlqyer që zhvilluan të enjten në mbrëmje, futbollistët e Kukësit ndaj malazezëve të Mladostit në Podgoricë, trajneri brazilian, Marselo Troisi, u ka dhënë dy ditë pushim futbollistëve të tij, të cilët po i shfrytëzojnë në plazhet e detit Jon dhe atij Adriatik. Sipas drejtuesve të klubit kukësian, nesër në orën 19:30 skuadra do të nisë stërvitjet për ndeshjen e parë të turit të tretë në “aventurën” e tyre në Ligën e Evropës, ku të enjten kuksianët do të përballen në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” me skuadrën e Legias së Varshavës.
Edhe pse në letër polakët duken të favorizuar, pasi renditen të 83-tët dhe kukësianët të 356-tët në renditjen e klubeve të UEFA-s, drejtuesit e klubit verilindor kanë ambicien për ta kaluar edhe turin e tretë dhe janë të vendosur për ta synuar një gjë të tillë. Për kukësianët dhe trajnerin brazilian Troisi, veç largimit të sulmuesit të kroat Pero Pejiç drejt Iranit, që do të jetë një boshllëk i konsiderueshëm në ndeshjen e së enjtes, problem do të jetë edhe mungesa e mbrojtësit të majtë Glendi Mici, për shkak të kartonëve.
Nëse rikthimi në skuadër dhe sakrifikimi i Ylli Shametit në krahun e majtë të mbrojtjes shihet si një alternativë e mundshme për trajnerin Troisi, shqetësim për të do të mbetet sulmuesi i avancuar. Braziliani Leonardo, i provuar në fundin e ndeshjes së Podgoricë, dëshmoi se ishte larg dhe nuk mund ta bënte dot kroatin. Brenda këtij konteksti, kanë nisur të qarkullojnë zëra, se drejtuesit e klubit kanë nisur kërkimet për afrimin e të një sulmuesi, “sozisë” së Pejiçit, që sipas gjasave, mund të janë sërish brazilian dhe do të këmbehet “kokë më kokë” me Leonardon.
Ky i fundit duhet ta ketë bërë gati valixhen për t’u larguan nga skuadra e Kukësit. Kukësi ka kaluar në raundin e tretë në Ligën e Evropës, dhe do të ketë një përballje të vështirë me Legian e Varshavës. Edhe pse skuadra polake shihet si favorite ndaj kukësianëve, vëmendja më e madhe pritet të jetë në tribuna. Tifozët polakë të Legias njihen si filo-racistë dhe filo-nazistë, pasi shpesh herë kanë nxjerrë parrulla kundër shqiptarëve më saktësisht ndaj atyre të Kosovës. Në disa pankarta të tifozëve polakë shkruhej “Kosova
është Serbi”, dhe të njëjtit tifozë do të vijnë në Tiranë për ndeshjen me Kukësin.
Të përditshmet sportive shqiptare, por edhe ato polake, kanë dhënë alarmin për një sherr të mundshëm në rrugët e kryeqytetit shqiptar mes tifozëve polakë dhe atyre shqiptar. Polakët kanë ditur të bëjnë sherr edhe vite më parë në kryeqytetin italian Romë, në ndeshjen e Ligës së Evropës përballë Lacios, dhe ata kanë paralajmëruar ardhje masive në Shqipëri.