Adriatik Balla 28.05.2015 19:00
Sulmuesi Pero Pejiç është një nga 5 futbollistët e Kukësit që në të shkuarën e ka fituar Kupën e Shqipërisë. Golashënuesi i kampionatit kërkon suksesin ndaj Laçit, pasi një triumf në finalen që do të zhvillohet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, do që ta veshë me nota pozitive sezonin e verilindorëve. Mosfitimi i titullit “kampion” këtë sezon sjell si detyrim triumfin në Kupën e Shqipërisë, në një ndeshje finale për t’u luajtur.
“Është një finale e madhe për ne, pasi nëse fitojmë sezoni do të jetë perfekt. Është një sfidë e rëndësishme për ne”, – tha kroati. Pejiç ka qenë protagonisti absolut jo vetëm për Kukësin, por dhe i kampionatit, duke qenë se është shpallur golashënuesi më i mirë me 31 syresh. Sulmuesi kroat ka shijuar rrugën e rrjetës edhe në finalen e 2011-tës, kur me fanellën e Tiranës ndëshkonte Dinamon, për të çuar sfidën në shtesë dhe më pas në goditjet e 11-metërshave.
Kujtime që rikthehen, por pa trazuar të tashmen e 32-vjeçarit. “Në 2011 në Durrës ndaj Dinamos shënova gol dhe më pas edhe një nga 11-metërshat dhe fituam trofeun, – rrëfen ai. – Por unë jam i përqendruar tek ndeshja me Laçin ashtu si dhe e gjithë skuadra.” Këtë sezon dy skuadrat kanë ndarë pikët në mënyrë të barabartë pasi kanë marrë nga një fitore secila duke regjistruar dhe dy barazime. Një nga arsyet përse Kukësi dështoi për të dalë kampion është fakti që u ndal nga Laçi.
Ky i fundit rezultoi një kundërshtar i vështirë për verilindorët. Por Pejiç injoron faktet duke u shfaqur me shumë besim për duelin. “Me Laçin kemi bërë gjithmonë ndeshje të forta, – pohon ai. – Nuk mendoj për kundërshtarin, por për Kukësin. Kemi 4 fitore dhe për më tepër një trajner të mirë. Është një finale dhe besoj të marrim Kupën.” A do të ndërronte Pejiç 31 golat e kampionatit me suksesin në Kupë?
Edhe këtu përgjigja është me shumë diplomaci. “Për mua e rëndësishme është të marrim kupën. Jam i lumtur nëse fitojmë 1-0 dhe golin e shënon Malota”, – përfundoi Pejiç.