AlbanianSport.com 11/03/2021 14:10
ASNN – Në kuadër të javës së 24-t të Kategorisë Superiore, Kukësi do të përballet me Apoloninë, në takimin që do të luhet të premten në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 13:00. Dhe trajneri Mirel Josa është i qartë, teksa thotë se Kukësi ka nevojë për pikë. Verilindorët, në 4 ndeshjet e fundit kanë marrë vetëm dy pikë (dy barazime, dy humbje), shumë pak për një skuadër me pretendime të qarta: të paktën të zërë një vend në Kupat e Evropës.
Duke folur në prag të kësaj përballjeje, Josa e vlerëson Apoloninë, si çdo kundërshtar tjetër, por pikët janë një domosdoshmëri. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, si për ne ashtu dhe për Apoloninë, – ka deklaruar ai. Kjo për vetë nevojën që kanë të dy skuadrat për pikë. Ne duhet të tregojmë respektin karshi kundërshtarëve, qoftë Apolonia apo çdo skuadër tjetër. Duke respektuar kundërshtarët, ne respektojmë edhe punën tonë.”
“Nuk duhet të qëndrojmë te ndeshjet e kaluara, të shohim ndeshjen me Apoloninë, që është e karikuar në këtë periudhë, – ka vijuar 57-vjeçari kryeqytetas. – Kërkon pikët e veta, ka nevojë për to. Këto pikë i duam gjithashtu edhe ne. Është një ndeshje ku nuk ka fare rëndësi pozicioni i skuadrave në renditje, ka rëndësi vazhdimësia e dy skuadrave. Mungesa e Gashit? E kam thënë edhe më parë, njëherë na ka munguar Ibraimi, pastaj Eze dhe Gashi.”
“I kemi përballuar gjatë kësaj kohe, edhe pse kemi pasur problemet tona, – ka theksuar Josa. – Normal që dua t’i kem të gjithë lojtarët në dispozicion. Pjesa tjetër e skuadrës është e kompletuar. Kemi nevojë për rikuperimin fizik të lojtarëve. Apolonia luajti me Laçin dhe ne në Shkodër, dy ndeshje shumë të forta. Rikuperimi fizik është kryesori”.
“Ne favoritë? Jo, fare. Nuk i shikoj pozitat në renditje. Nëse respekton kundërshtarin, atëherë ke respektuar punën tënde: kjo është teoria ime e punës”.
Në fund trajneri i Kukësit ka folur edhe për çështjen “Limaj”. “Nuk merrem me individë, më intereson skuadra, – ka këmbëngulur Mirel Josa. Limajt i është dhënë shansi për të luajtur, mund t’i jepet përsëri në varësi të zhvillimit të ndeshjes. Mua më intereson si do të shkojë skuadra dhe çfarë rezultati do të marrë”.