Adriatik Balla 18.06.2015 17:45
Hair Zeqiri nuk ka udhëtuar me Kukësin drejt Austrisë për fazën përgatitore duke bërë që emri i tij të figurojë tek të larguarit nga nënkampionët e vendit. Mesfushori vlonjat i kontaktuar në telefon ka shpjeguar se nuk ka qenë një zgjedhje e tij për të mos udhëtuar me skuadrën. 27 vjeçari është befasuar nga fakti që drejtuesit nuk e kishin në planet e tyre për fazën përgatitore.
Tashmë ai është në pritje të një takimi me presidentin Gjici ku pritet të zbardhë dhe detajet e këtij vendimi. Sipas burimeve brenda klubit verior, Zeqiri nuk bën më pjesë në projektin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, dhe kjo është një nga arsyet përse fantazisti nuk ka udhëtuar drejt Austrisë. Në këtë mënyrë Zeqiri i shtohet listës së gjatë të futbollistëve të sezonit të shkuar që nuk janë konfirmuar si pjesë e skuadrës edhe për kupat e Evropës apo sezonin e ri.
Gjithashtu portieri Halilaj nuk ka udhëtuar me skuadrën nga e cila tashmë janë të konfirmuara largimet e Pit, Dushkut, Smajlit, Peqinit, Dostit, Hoxhës dhe Lushtakut. Në takimin me presidentin Safet Gjici mesfushori Hair Zeqiri do të mësojë qëllimet e vërteta të drejtuesve për të marrë më pas dhe vendimin mbi të ardhmen e tij. Për shërbimet e fantazistit vlonjat mund të nisë gara, duke qenë se një pjesë e mirë e skuadrave ende nuk kanë formatuar ekipin e sezonit të ri.