AlbanianSport.com 05.12.2016 17:55
ASNN – Emocionet e ndeshjes Partizani-Kukësi kanë nisur të ndjehen në kryeqytet aty ku stërviten të dy këto ekipe. Tanimë trajneri i Kukësit Ernest Gjoka e ka bërë gati strategjinë për tu përballur me të kuqtë. “Është një ndeshje e vështirë, – ka thënë ai në konferencën e sotme për shtyp. – Kukësi ka bërë mirë dhe ky është realiteti.”
“Nëse dëshirojmë të shkojmë deri në fund, duhet të jemi të pathyeshëm, – ka vijuar ai. -Ndeshja e ndeshjes nuk i ngjan, por shkojmë për të marrë maksimumin.” Përballë njëra tjetrës janë sulmi më i mirë i kampionatit me mbrojtjen më të mirë, por Gjoka nuk sheh diferenca midis skuadrave edhe pse pranon që secila ka defekte.
Nuk i tregon sekretet, por thotë se i di pikat e dobëta të Partizanit. “Diferenca nuk ka, – ka këmbëngulur trajneri i verilindorëve. – Partizani është për titull. Këtë ndeshje po e pregatisim me detaje pasi asnjë trajner nuk ia lë rastësisë. Kemi strategjinë tonë. Defektet e kundërshtarit janë sekret dhe mund t’i tregoj vetëm në përfundim të takimit.”
Në fakt, në planin personal, sfida për të është me trajnerin rival, Sulejman Starovën.
“Starova është një trajner i mirë me eksperiencë dhe kam respekt, – ka thënë Gjoka, duke folur për homologun. – Thonë që i riu me të vjetrin janë të barabartë pasi i vjetri ka në favor eksperiencën. Por “mund t’ia marr në kthesë” Starovës.” Në këtë sfidë Partizanit i rikthehen tifozët, pas konvertimit në gjobë financiare të dënimit nga Disiplina.