AlbanianSport.com 21.12.2016 13:25
ASNN – Luftëtari-Kukësi dhe Vllaznia-Tirana, janë dy ndeshje të rëndësishme për javën e 18-të të Kategorisë Superiore. Trajneri i skuadrës verilindore, Ernest Gjoka, kërkon fitoren në Gjirokastër për të ruajtur kreun e renditjes. Ai përgëzoi homologun e tij, Milinkoviç, për punën e bërë në krye të gjirokastritëve, si dhe u ndal për të komentuar temën e shumëpërfolur të gjyqtarëve.
“Një skuadër që ka bërë mjaft mirë këtë kampionat, – ka thënë Gjoka. – Ata luajnë një futboll të bukur dhe i vlerësoj shumë. Kanë elementë cilësor brenda grupit dhe trajneri i tyre po i merr më të mirën kësaj skuadre. Dua ta përgëzoj.” Kukësi i vendit të parë luan në Gjirokastër. Ndaj Luftëtarit, trajneri i skuadrës veriore, Ernest Gjoka, kërkon 3 pikët nga skuadra e tij, për të ruajtur kreun e renditjes.
“Nuk kemi vend për eufori, pasi nuk kemi arritur asgjë, – ka këmbëngulur trajneri i Kukësit. – Kemi një ndeshje të vështirë përpara dhe objektivat tona dihen se janë madhorë. Prandaj nuk ka vend për vetëkënaqësi. Do të jetë një sfidë shumë e vështirë dhe ne e kemi përgatitur si duhet. Kemi punuar gjatë gjithë javës dhe e kemi përgatitur si duhet. Nuk do e nën vlerësojmë kundërshtarin, përkundrazi.”
“Futbollistët janë në gjendje të mirë dhe kanë punuar shumë mirë, – ka theksuar Gjoka. -Jemi të kënaqur, pasi kemi punuar për të qenë në majë. Më e vështirë është ta mbash se sa ta arrish, pasi sytë e të gjithëve janë të përqendruar tek ti.”
Sa u përket gjyqtarëve, trajneri i kryesuesve, tha: “Nuk jam marrë ndonjëherë me gjyqtarët dhe nuk do merrem. Ekipi që del “kampion” për mendimin tim nuk del për shkak të ndihmës së gjyqtarëve. Kukësi ka pasur raste që është penalizuar, por ka pasur edhe raste që vendimet e gjyqtarëve mund të kenë penalizuar edhe kundërshtarët tanë”.