AlbanianSport.com 19.11.2016 11:15
ASNN – Edhe për arsye kalendari, që shpesh detyrohet të kënaqë edhe axhendën e transmetimeve televizive, Kukësi do të ketë mundësinë të njohë rezultatet e rivalëve, pasi luan i fundit në javën e 11-të të Kategorisë Superiore. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka, që kryeson me pikë të barabarta me Skënderbeun, ndeshet të hënën në Durrës me Teutën.
Ecuria e rivalëve për titullin pritet të ndikojë edhe në presionin që do të ketë skuadra. “Nëse kundërshtarët tanë fitojnë, presioni do të bjerë mbi ne, – ka pohuar trajneri i verilindorëve. – Nëse kundërshtarët tanë humbasin apo ndalen do të kemi një motivim më shumë, prandaj kjo ndeshje që do të luhet të hënën mund të kthehet në favor ose në disfavor.”
Ernest Gjoka nga kjo sfidë ka më pak të huaj në organikë, pasi lojtarët nga Maqedonia, Nijas Lena dhe Izair Emini janë pajisur me pasaportë shqiptare. “Jam shumë i kënaqur që tashmë do të kem pasaportën shqiptare, – ka thënë Lena. – Për ekipin gjithashtu është më mirë, pasi ul numrin e të huajve në klub”. Java e 11-të e Kategorisë Superiore do të luhet të dielën dhe të hënën.