AlbanianSport.com 19/12/2018 23:55
ASNN – Presidenti i klubit të Kukësit, Safet Gjici, ka surprizuar sot në mbrëmje në një deklaratë që ka bërë për mediat, duke pretenduar se ka arritur marrëveshje me sulmuesin vlonjat të Luftëtarit, Vasil Shkurtaj. Është një lëvizje e pritshme në fakt, pasi tek Luftëtari ka nisur “eksodi”, si pasojë e krizës financiare të klubit gjirokastrit.
Kukësi, e konkretisht presidenti Gjici, pretendon se marrëveshja është arritur me Luftëtarin, pra është paguar klauzola e lojtarit, por mbeten për t’u diskutuar disa hollësi në lidhje me vetë futbollistin dhe këto detaje janë të karakterit financiar. Pra Gjici e bën fakt të kryer kalimin e Shkurtajt në radhët e Kukësit.
Lëvizje kjo që pritet të ndodhë në ditët e para të janarit. “Shkurtaj është një nga lojtarët më të mirë të Superiores, – ka deklaruar Gjici për mediat, – bisedimet me të kanë ecur shumë dhe jemi pranë arritjes së marrëveshjes. Jemi duke diskutuar pikat e fundit të anës financiare.”
Megjithatë, të gjitha pretendimet për këtë lëvizje janë të kreut të klubit të Kukësit, pasi vetë futbollisti ende nuk ka folur dhe deri në janar shumë gjëra mund të ndryshojnë. Gjici pretendon se e ka fituar garën me Partizanin për Shkurtajn, por vetëm kur të konfirmohet zyrtarisht lëvizja do të jetë e besueshme.