Adriatik Balla 31.10.2015 13:25
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka zhvilluar një takim me skuadrën e tij, ku ka kërkuar haptazi që Tirana të mundet. Kjo u bë pas një analize të kujdesshme të stafit teknik nën vëzhgimin e Gjicit. Vetëm në këtë mënyrë Kukësi nuk do të humbasë ritmin e kryesuesve të Partizanit dhe Skënderbeut të vendit të dytë, për të vijuar garën me dy rivalët e tjerë për titullin “kampion”.
Suksesi përballë bardhebluve kërkohet edhe prej ecurisë zhgënjyese të skuadrës në ndeshjet në fushë të huaj. Në tre ndeshje të luajtura jashtë fushe, Kukësi ka pësuar dy humbje me Partizanin dhe Skënderbeun, ndërsa barazoi me Vllazninë.
Ndaj Tiranës synohet fitorja e parë në fushë kundërshtare në këtë kampionat, edhe pse historia tregon se misioni nuk është aspak i lehtë. Në dy sfidat e fundit të luajtura në shtëpinë e bardhebluve, gjatë edicionit të kaluar, Kukësi ka pësuar po kaq humbje. Fitorja e fundit ndaj 24 herë kampionëve ishte ajo e 16 marsit 2014, ku dygolëshi i Sokol Cikalleshi i dha tri pikët skuadrës së drejtuar në atë periudhë nga Sulejman Starova. Në mbledhjen e fundit me skuadrën, presidenti Gjici ka patur kritika përsa i përket lojës me Tërbunin. Ndaj bardhebluve, trajneri Marselo Troizi nuk do të ketë në dispozicion për arsye dëmtimi tre futbollistë, shkodranin Edon Hasani si dhe brazilianët Moreira dhe Biringueta