Adriatik Balla 14.05.2015 10:55
Klubet shqiptare po bëjnë llogaritë e fundit në këto dy javë të mbetura të kampionatit, me shpresën se do të realizojnë në kohë objektivat e tyre. Gara më e madhe mbetet për vendin e dytë dhe të tretë në Kategorinë Superiore, pasi janë pozicione që të çojnë në Ligën e Evropës. Kukësi do të përballet me Tiranën në fundjavë në duelin vendimtar për vendin e dytë në klasifikim, por duhet pranuar se Kukësi është më komod, gjë që lidhet me faktin se ka një shans të madh edhe në Kupën e Shqipërisë, finalen e së cilës do ta luajë përballë Laçit më 29 ose 30 maj në Tiranë.
Duke parë këtë situatë, është e kuptueshme që kukësianët ndihen favoritë ndaj Tiranës për shkak të gjendje morale më të mirë. Këtë e vërteton me fjalët e tije dhe mbrojtësi Erjon Dushku, i cili këtë fundjavë do të përballet me ish-skuadrën e tij Tiranën. Mbrojtësi i Kukësit, Erjon Dushku, hedh poshtë zërat për një ftohje të marrëdhënieve me drejtuesit e klubit pas humbjes me Skënderbeun në “Zeqir Ymeri”. 30-vjeçari thekson se ka munguar në ndeshjen e fundit me Teutën për arsye shëndetësore dhe se prej dy ditësh është vënë nën urdhrat e Radanoviç për të dhënë kontribut për arritjen e objektivave të mbetur të sezonit.
“Nuk kam asnjë problem me drejtuesit, nuk e di nga dalin këto zëra, – deklaroi ai. – Me sa kuptoj dikush dëshiron që Kukësi të mos i arrijë objektivat sepse dihet qe synon kupën e Shqipërisë. Nuk kam qenë pjesë e skuadrës për arsye shëndetësore, por prej dy ditësh po stërvitem për të qenë gati për ndeshjet e fundit.” Dushku e pranon se Kukësi vuajti presionin e rezultatit me kampionët në fuqi të Skënderbeut dhe kjo sipas tij nuk duhet të ndodhë në përballjen me Tiranën, ku nënkampionët e Shqipërisë kanë dy rezultatet në favorin e tyre.
“Problemi kryesor ishte presioni i madh që nuk u përballuar në mënyrën e duhur, – ka vijuar futbollisti i verilindorëve. – Tani jemi më të qetë dhe duhet që ky presion të mos ndikojë në ndeshjen e radhës me Tiranën, sepse kemi ende objektivave për të arritur. Kemi edhe dy rezultate në favorin tonë ndaj duhet që ta administrojmë mirë lojën.” Sigurimi i Europës nëpërmjet kampionatit është objektivi i parë i Kukësit, që do të mbyllte në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin me ngritjen lart të trofeut të Kupës.
“E kam fituar 4 herë kupën, pjesë mos ta bëj këtë për herë të pestë me Kukësin. Dështuam për në garën për titull por kemi mundësi të mëdha për ta mbyllur me trofe sezonin”, – theksoi Dushku. Përsa i përket të ardhmes, futbollisti i Kukësit, Erjon Dushku shprehet i rezervuar, pasi për momentin po mendon vetëm për ta mbyllur sezonin me trofe.