AlbanianSport.com 15/02/2019 21:45
ASNN – Trajneri Armando Cungu rrezikon tashmë pozitat e tij në krye të skuadrës së Kukësit, pasi ekipi i tij u mund sot në Durrës nga Teuta, 2-1, duke ia vështirësuar mjaft situatën trajnerit shkodran. Megjithatë, Cungu përgëzoi ekipin e tij për ndeshjen që kishte zhvilluar, duke thënë se nuk e fajëson për asgjë skuadrën në këtë ndeshje, as Kordeiron që humbi në fund 11-metërsh. Madje trajneri Cungu tha se pavarësisht humbjes kampionati është i hapur, asgjë sipas tij nuk ka përfunduar dhe se Kukësi do të përpiqej të bënte më të mirë në javët e ardhshme.
“Mendoj se djemtë bënë një ndeshje të mirë, – u shpreh Cungu pas ndeshjes. – Ritmet ishin në ekuilibër. Kaluam në epërsi dhe e mbyllëm pjesën e parë në epërsi. Ishim përsëri në lojë dhe mund ta mbyllnim ndeshjen me Rrocën, por nuk arritëm në atë rast flagrant. Nuk duhet të bënin faulle afër zonës sonë, pasi Teuta ka lojtarë shumë shtatlartë. Kukësi i ka mundësitë të luajë futboll dhe të marrë pikët e veta, pasi deri tani kemi bërë kampionat shumë të mirë, këtë mund të them. Pasi pësuam golin e barazimit, nuk duhej të ruheshim më, tentuam të shënonim golin e dytë.”
“Nuk ishte një ditë me fat, ishte një ditë tersi, pasi me situata që kishim, mund ta fitonim ndeshjen, – vijoi trajneri i skuadrës verilindore më tej në qëndrimin e tij, – Humbëm 11-metërshin. I druhesha mesfushës së Teutës dhe aty e humbëm ndeshjen.” Në lidhje me Rexhinaldon, Cungu tha se mozambikasi ishte në gjendje të mirë dhe duhej ta niste nga fillimi. “Ka gjendje të mirë dhe mendova ta nisnim kështu, ta aktivizoja nga minuta e parë, – ka pohuar trajneri i verilindorëve. – Ekipi kishte krijuar një modul loje në fazën e dytë, fitonim dhe pësonim pak.”
“Me ardhjet e reja u mendua për një skemë tjetër dhe pretendojmë më tepër nga lojtarët e ardhur rishtazi. Nuk mund të kërkojmë maksimumin nga Shkurtaj dhe Rroca kaq shpejt. Më pëlqeu ekipi në këtë ndeshje. Tek 11-metërshi i besova Kordeiros dhe nuk kam asnjë peng”, – përfundoi Cungu. Pavarësisht deklaratave dhe optimizmit të trajnerit, Cungu këtë herë rrezikon shkarkimin, pasi diferenca me Partizanin është shumë e madhe dhe pas kësaj disfate të Kukësit, të kuqtë e Skënder Gegës dalin edhe një herë tjetër të fituar, duke qenë më afër objektivave të tyre se skuadrat e tjera rivale për titull.