AlbanianSport.com 25/08/2018 17:05
ASNN – Ndeshjen e dytë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kukësi do ta luajë me Flamurtarin në Vlorë. Sipas trajnerit të verilindorëve, Armando Cungu, harmonia e skuadrës nuk është prekur pas barazimit në ndeshjen e parë me Laçin, pasi ai ka një ekip profesionist. Edhe pse vlonjatët kanë krijuar një ekip krejtësisht të ri, Cungu nuk i druhet këtij fakti, por kërkon realizimin e objektivit, fitoren.
Kukësi do të luajë të dielën një sfidë të vështirë. Në Vlorë e pret Flamurtari, një skuadër e ndryshuar rrënjësisht. Këtë fakt e pranon edhe trajneri i skuadrës verilindore, Armando Cungu. Por ai e ka vlerësuar sfidën me Flamurtarin ashtu si gjithë të tjerat. E ndaj vlonjatëve kërkon vetëm tri pikët. Barazimi me Laçin, në ndeshjen e parë të kampionatit duket se nuk ka ndikuar aspak në harmoninë e skuadrës.
Por trajneri Cungu është disi më i kënaqur me përgatitjen fizike të ekipit gjatë kësaj jave. Ndeshja me Laçin ka qenë një tregues për drejtuesin e verilindorëve. Ku ai ka veçuar anët e mira por edhe ato negative të skuadrës. Te Kukësi janë disa lojtarë me probleme shëndetësore, për të cilët do të vendoset vetëm të dielën nëse do të jenë të gatshëm apo jo ka pranuar Cungu. Kukësi ka zhvilluar të shtunën pasdite një seancë stërvitore prej 60 minutash dhe më pas është nisur drejt Vlorës, ku të dielën do të luajë me Flamurtarin.