AlbanianSport.com 30/11/2018 19:05
ASNN – Duke folur para duelit me Luftëtarin, trajneri i Kukësit, Armando Cungu ka bërë “të paditurin” rreth çështjes “Musolli”. “Të jemi sinqertë unë sapo e lash stërvitjen erdha këtu dhe nuk jam në dijeni të kësaj situate, – theksoi ai, – por me aq sa u informova shkurtimisht, mësova se mes dy palëve është arritur një marrëveshja që lojtari të lihet të rehabilitohet në Kosovë dhe më pas do të jetë dera e hapur për të, për të qenë pjesë e Kukësit.”
“Përderisa bien dakord të dyja palët, nuk besoj se ka diçka për t’u shqetësuar – vijoi trajneri Cungu. – Nuk mendoj se klubet shqiptare e kanë luksin për të pasur staf të veçantë për lojtarët që vijnë pas trumave të tilla. Ka nevojë për një trajtim më të specializuar dhe për një trajner personal, që të merret me të, për ta kthyer sa më shpejt në gjendjen e tij më të mirë fizike. Kjo ka qenë ajo që drejtuesit dhe lojtari kanë arritur në këtë marrëveshje.”
“Nuk marr përsipër që të komentoj ngjarje, – theksoi shkodrani i stolit të skuadrës verilindore, – kur unë nuk kam qenë pjesë e këtij klubi. Mund të flas për periudhën kur kam qenë këtu. Nuk e di çka ndodhur në të shkuarën, pasi mund të gaboj nëse flas. Në rastin e Musollit, mund të them fjalët më të mira si djalë. E kam pasur fatin që ta kem edhe në sezonin e parë të Kukësit në Superiore. E ka nisur që atëherë me Kukësin dhe ka kontribuar maksimalisht, duke dhënë gjithçka dhe duke fituar çdo gjë.”
“Mund të flas fjalët maksimale si djalë dhe si sportist. Palët e kanë lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen mund të ketë sërish bashkëpunim. Kjo më lë shije të mirë”, – ka përfunduar trajneri i Kukësit, Armando Cungu, duke folur për futbollistin nga Kosova, Besar Musolli.