AlbanianSport.com 04/08/2018 14:50
ASNN – Është një nga skuadrat që i ka dhënë tonin futbollit të këtij 10-vjeçari të dytë të këtij shekulli në Shqipëri, por ka një mangësi të madhe, siç është një stadium i denjë për një klub si Kukësi. Për këtë arsye, Stadiumi “Zeqir Ymeri” në Kukës do të nisë të rindërtohet për të qenë në të ardhmen një impiant modern, i denjë për një skuadër me synime të mëdha në Superiore.
Në këtë mënyrë ekipi këtë edicion është i detyruar të shtegtojë për të luajtur gjetkë. Ajo që bën përshtypje, është se, fillimisht, drejtuesit e klubit verilindor kishin zgjedhur që takimet t’i zhvillonin në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe në fakt aty u luajtën edhe dy ndeshjet e tureve të para eliminatore të Ligës së Kampioneve, kundër La Valetës dhe Karabagut.
Por duket se klubi verilindor ka ndryshuar mendje dhe ka vendosur që takimet të planifikuara në kalendar si ndeshje në shtëpi, t’i luajë në Stadiumin “Elbasan Arena”. Akordi është arritur dhe tashmë mbetet vetëm që Kukësi të depozitojë në FSHF kontratën me stadiumin. Drejtuesit kanë bërë këtë zgjedhje ndoshta duke llogaritur që skuadra stërvitet në kryeqytet.
Për këtë arsye, edhe distanca me Elbasanin është më e afërt se me qytetin e Shkodrës, por më kryesorja, sepse kostot e zhvillimit të ndeshjeve në “Loro Boriçi”, janë më të larta. Edhe takimi i vlefshëm për turin e 3-të të eliminatoreve të Ligës së Evropës, kundër Torpedos së Kutaisit, i cili është programuar të luhet më datë 16 gusht, do të zhvillohet pikërisht në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Për të vijuar më pas po aty me premierën e këtij edicioni të Kategorisë Superiore, sfidën kundër Laçit