AlbanianSport.com 16/11/2018 21:10
ASNN – Kuksi do të ketë vitin tjetër një stadium të ri. Tashmë vendimi është marrë dhe qeveria shqiptare, së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit do të investojnë së bashku në vlerën 50% secila për këtë impiant i cili do të jetë i kategorisë “Elite 3” dhe me një kapacitet 6,500 vende. Ka qenë një premtim i hershëm edhe i presidentit të skuadrës kuksiane, Safet Gjici, që qyteti verilindor të kishte një stadium model e të denjë për ambiciet evropiane të skuadrës së tij.
Dhe është fakt që Kukësi prej 5 vjetësh qëndron në Superiore me pretendime trofesh dhe njëherësh si pjesëmarrës në kupat evropiane. Në projektin për stadiumin e ri që do të kushtojë 5 milionë Euro, gjysmën e shumës, konkretisht 2.5 milionë Euro, do t’i japë Federata Shqiptare e Futbollit. Madje federata e ka premtuar këtë edhe publikisht ditën e djeshme. Mbetet vetëm që të nisin punimet dhe Kukësi të ketë një stadium me standarde ku të luajë ndeshjet e tij evropiane.
Stadiumi i ri i Kukësit do të ketë një kapacitet prej 6500 vendesh dhe do të jetë i kategorisë “Elite 3” të UEFA-s, sepse dihet që standardet e UEFA-s për të marrë miratimin e një stadiumi “Elite 4” kërkojnë si kusht edhe kapacitetin, gjë që nuk e plotëson dot ky projekt. Sidoqoftë, në këtë impiant mund të zhvillohen ndeshje të fazës së grupeve të Ligës së Evropës, gjë që nuk do të pengojë as vendasit dhe as ndonjë skuadër tjetër shqiptare për të zhvilluar ndeshje në Kukës.
Dhe, me të vërtetë, për atë që i ka dhënë futbollit këto vite, me pjesëmarrje të vazhdueshme në kupat evropiane, Kukësi e meriton këtë investim.