AlbanianSport.com 07.06.2015 09:00
ASNN – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar ekipin kombëtar që do të marrë pjesë në lojërat e para evropiane që do të zhvillohen në Baku. Ndërsa Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani ka premtuar rezultate dhe medalje nga sportistët në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Edi Rama ka ndjekur finalen e Ligës së Kampioneve Juventus-Barcelona, në lulishten e gjelbër të kryeministrisë në prani të mjaft tifozëve juventinë dhe të skuadrës spanjolle. Kryeministri i Shqipërisë, ka qenë pranë ekipit kombëtar që do të marrë pjesë në Lojërat e para Evropiane që do të zhvillohen në Baku.
Të veshur me uniformat kuqezi, të gjithë sportistët pjesëmarrës, Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, dhe shoqëruesit e ekipit janë përshëndetur nga kryeministri Rama, i cili iu ka uruar suksese në Baku. Ndërsa Presidenti i KOKSH-it, Bezhani ka premtuar rezultate dhe medalje nga sportistët në Lojërat Olimpike Evropiane të Bakusë.
Presidenti i KOKSH Viron Bezhani i ka dhuruar kryeministrit Rama fanelën e delegacionit pjesëmarrës në Lojërat e Para Evropiane të Bakusë, duke shkaktuar edhe ilaritet përsa i përket masës së saj, çka e ka bërë kreun e qeverisë të ironizojë se ajo ishte më e përshtatshme për deputetin Erjon Braçe.