ASNN – E gjendur me shërbim pune në SHBA, Kryebashkiakja e Shkodrës ka ndjekur ballafaqimin e kuqebluve me korçarët përmes ekranit të TV. Ajo krahas përgëzimeve ka dhënë dhe këshillën: Kujdes nga euforia. Prej disa ditësh është me shërbim pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por si qytetarja numër një e Shkodrës dhe njëkohësisht edhe si presidente e KF Vllaznia, kryebashkiakja Voltana Ademi mendjen dhe zemrën e ka pasur në qytetin e vet të lindjes. Vetëm një ditë përpara ndeshjes së parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, atë përballë Skënderbeut të luajtur në “Reshit Rusi”, ajo takoi nga afër skuadrën dhe i uroj suksese.
E bëri këtë pasi një ditë më pas do t’i duhej të udhëtonte me një shërbim pune për në shtetin përtej oqeanit. Barazimi dhe loja e mirë në këtë ndeshje e gëzoi pa masë kryebashkiaken që ndërkohë priste me jo pak ankth sfidën tjetër po me skuadrën kampione, tashmë për kampionat. Ndeshje kjo që, ashtu si për të gjithë bashkëqytetarët e saj e më gjerë, edhe për kryebashkiaken Ademi ka dhënë një entuziazëm të madh pas fitores 1-0 të Vllaznisë. Emocionet e këtij ballafaqimi ajo pati rastin t’i përjetojë nga larg, pasi vazhdon të jetë pjesë e një aktiviteti disa ditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një prononcim ekskluziv për “Sport Ekspres”, Ademi jep më shumë detaje rreth këtij fakti, teksa thotë: “Jam 9 orë lag nga Shqipëria, në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për të ndjekur ndeshjen e Vllaznisë më është dashur të ngrihem në orën 06:00 të mëngjesit, sepse ishte e vetmja mënyrë që ta shijoja atë nëpër Internetit. Kisha komunikuar një natë më parë me drejtuesit dhe trajnerin Cungu. U urova sukses dhe u dhashë besim.” Më pas duke folur përmes linjës telefonike nga kontinenti tjetër, Ademi vijon duke pohuar se nëpërmjet trajnerit ka kërkuar të përshëndesë të gjitha ekipin dhe t’i uroj suksese për ndeshjen me Skënderbeun.
“Unë besoj se gjithë secili prej jush do të japë maksimumin në fushën e lojës, duke nderuar veten dhe Vllazninë”, – citon Ademi duke lexuar kështu mesazhin e dhënë skuadrës kuqeblu vetëm pak orë përpara ndeshjes. “Siç ju thashë edhe më sipër, ndeshjen e kam ndjekur online dhe më besoni se emocionet më kishin pushtuar sikur të isha e pranishme në tribunën e “Reshit Rusit”, bën të ditur kryebashkiakja Voltana Ademi, teksa sqaron se gjatë ecurisë së lojës ka vijuar të komunikojë edhe me bashkëshortin e saj, Franci, i cili po e ndiqte takimin në stadium mes tifozëve të Vllaznisë.
“Kur u bë goli, natyrisht ka qenë momenti im më i gëzueshëm, – ka pohuar ajo. – U kënaqa shumë personalisht, por në të njëjtën kohë kisha shumë emocione për vazhdimësinë e takimit, ku, duke ditur forcën e skuadrës “kampione”, u druhesha sulmeve të Skënderbeut. Por fatmirësisht mbrojtja e jonë dhe e gjithë skuadra në përgjithësi e përballoi me shumë sukses pjesën tjetër të ndeshjes, madje edhe duke sulmuar prapë”, vijon Ademi, që edhe tre ditë pas ndeshjes duket qartë se është e pushtuar me të njëjtat emocione. Në vijim ajo merr përsipër të flasë edhe si analiste sporti.
“Mendoj që skuadra u përpoq shumë, luajtën më mirë se disa ditë përpara në ndeshjen e Kupës. Kishim frymë tjetër në lojën në grup e më shumë dëshirë dhe kurajë. Jam e kënaqur që fituam dhe krenare për këtë Vllazni, kjo është Vllaznia e ime”, – shprehet Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, duke përgëzuar së pari trajnerin Armando Cungu dhe kolegët e tij të stafit teknik për punën e mirë që ka bërë me skuadrën. Por në të njëjtën mënyrë nuk ka munguar të përshëndesë edhe futbollistët, protagonistët e fushës së lojës dhe gjithë drejtuesit e tjerë të klubit Vllaznia që po kontribuojnë për këtë skuadër.