ASNN – Drejtori Kroqi bën bilancin e arritjeve, ku sportistët dhe ekipet kuqeblu spikaten në fitimin e shumë trofeve gjatë këtij viti. Klubi Sportiv “Vllaznia e ka mbyllur vitin 2017 më rezultate shumë pozitive. Ekipet dhe sportistët e këtij klubi kanë qenë më të mirët në konkurrimet kombëtare duke u cilësuar edhe si klubi me rezultatet më të larta.
Ndër to duhen veçuar titujt “kampione kombëtare” dhe fituese të Kupës së Shqipërisë në futboll femra, po kështu “kampion” dhe fitues i Kupës së Shqipërisë në boks, “kampion kombëtar” dhe fitues i Kupës së Federatës në volejboll për meshkuj, “kampion kombëtar” në atletikë meshkuj dhe “kampion kombëtar” në gjimnastike për femra.
Por sukseset e sportistëve shkodranë nuk kanë munguar edhe në veprimtaritë ndërkombëtare, siç janë përfaqësimet dinjitoze të Izmir Smajlajt dhe Erkand Qerimajt. E për gjithçka që është arritur gjatë vitit 2017, shefi i Klubit Shumësportësh “Vllaznia”, Mark Kroqi, ka dhënë këtë intervistë për RTSH Sport, që AlbanianSport.com po e sjell të plotë për lexuesin e saj.
– Është lënë pas një vit shumë i suksesshëm sa i përket Vllaznisë, që vihet re dhe nga kupat e fituara. Çfarë mund të thuhet?
– Sigurisht që rezultatet flasin vetë dhe ne jemi shumë krenar për gjithçka kemi arritur gjatë vitit kalendarik që lamë pas. Janë disa ekipe kampion, ndër të cilët më duhet të veçoj, ato të boksit, atletikes për meshkuj, gjimnastikës femra, futbolli i femrave, volejbolli meshkuj, çiklizmi, xhudo, taekuondo, etj. Na kanë bërë vërtetë krenar për trofetë e arritura.
– Si kanë qenë marrëdhëniet me federatat përkatëse dhe me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar?
– Në përgjithësi kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me peshëngritjen. Kemi një komunikim shumë të mirë me presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, po ashtu edhe me presidentin e federatës së atletikes, por edhe më të tjerë. E falë këtyre bashkëpunimeve, Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Klubin Shumësportësh “Vllaznia”, ka planifikuar në Shkodër zhvillimin e disa veprimtarive ndërkombëtare. Në momentin që do të inaugurohet dhe pista e stadiumit “Loro Boriçi”, aty do të zhvillohet një miting ndërkombëtar me pjesëmarrjen e mbi 100 sportistëve nga të Ballkani dhe Evropa. Tashmë ka edhe një veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare, që është Memoriali i Boksit, “Vllazia 2018” në muajin mars. Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmi kemi dhe një veprimtari ndërkombëtare, ndërsa tradita do të mbahet gjallë.
– Keni një jetë të tërë me volejbollin, si ish-lojtar, por dhe si ish-trajner, ndërsa jeni shpallur dhe “kampion”. Sa ndikon në punën e përditshme?
– Ajo pjesë që unë u mora me drejtimin e ekipit të volejbollit ishte një eksperiencë jashtëzakonisht pozitive. Për më tepër që edhe Vllaznia u shpall “kampion”. Kjo eksperiencë mua më ka shërbyer shumë për të njohur edhe më shumë rolin e trajnerit, mundin dhe sakrificat që ato bëjnë për drejtimin e ekipeve reciproke. E mbi të gjitha pjesën e dashurisë për sportin, sepse nuk është pagesa që ato marrin, por është dashuria dhe respekti, dëshira për t’i bërë ekipet e tyre të ecin përpara.
– Natyrisht që për një ecuri sa më të mirë në sport, ndikon jo pak edhe ana financiare, si po e zgjidhni ju një gjë të tillë?
– Ne si klub, në bashkëpunim edhe me Bashkinë Shkodër, kemi futur një mentalitet dhe një mënyrë të re në lidhje me financimet. Në fazat përmbyllëse të kampionateve shikohen edhe rezultatet konkrete dhe ato ekipe që kana arritur rezultate të larta në pjesën e dytë të vitit iu shtohen trajtimet ushqimore apo diçka tjetër.
– Cilat janë disa nga objektivat që ka Kroqi dhe Klubi Sportiv “Vllaznia” për vitin 2018?
– Objektivat janë konkrete. Ne kemi një fat shumë të madh, sepse punohet shumë mirë me disa ekipe të reja, që shfrytëzojnë ardhjet e talenteve të ri nga ekipet e moshave. Sigurisht që kjo kërkon edhe disa kushte shumë më të mira se sa ato aktualet. Unë shpresoj shumë që qeveria shqiptare ta shikojë pak më me vëmendje problemin e zgjidhjes së palestrave pranë tribunave të Stadiumit “Loro Boriçi”, sepse sportistët tanë të Vllaznisë po i zhvillojnë stërvitjet në kushte jonormale. Objektivat normalisht që duhet të jenë shumë më të mirë se sa ishin në mbyllje të vitit.