AlbanianSport.com 25/10/2018 12:30
ASNN – Në futboll shpiket një term i ri, lëvizja “krokodil” për të penguar goditjen standarde të kundërshtarit. Në ndeshjen që Barcelona fitoi 2-0 ndaj Interit të mërkurën në ndeshjet e treta të grupit B në Ligën e Kampioneve, u praktikua një lëvizje e rrallë, jo e panjohur, por që tanimë do të njihet si lëvizja “krokodil”.
Lojtari Brozoviç, u shtri në tokë gjatë ekzekutimit të goditjes standarde të Luis Suarezit. Ishte menduar që më parë një goditje e tillë standarde nga një distancë relativisht e afërt, kuptohet, jashtë zonës së 16-metrave, prandaj dhe Brozovic u kujdes që të mbyllte hapësirat që topi të mos shkonte në kuadrat.
Zakonisht goditësit synojnë trekëndëshin e sipërm të portës, por në këtë rast Suarez lakmoi një top tokazi, duke ditur që muri kërcen për të mbrojtur rrezen e portës. Shtrirja e Brozoviç rezultoi e suksesshme sepse ai ndërpreu trajektoren e topit me shpinë, duke evituar një gol të sigurt.
Menjëherë pas ndeshjes, Brozoviç, që mori vlerësime për ndërhyrjen, e quajti lëvizjen e tij “krokodil” dhe ky term ka gjasa të hyjë shpejt në literaturën futbollistike, si një taktikë mjaft e goditur. Gjetja është me të vërtetë unikale, por saktësia në veprime do të vijë duke u përmirësuar me kohën, për sa kohë edhe vetë futbolli është dinamik dhe në përmirësim të vazhdueshëm.