AlbanianSport.com 27/12/2018 19:55
ASNN – Nuk është vetëm Luftëtari që ka pranuar se ka një krizë financiare që po çon në dëmtimin e grupit dhe shpërbërjen e tij, por edhe shumë klube të tjera. Tirana është një prej tyre, pasi edhe vetë presidenti Refik Halili ka deklaruar se po përpiqet të afrojë sponsorë për të mbështetur ekipin bardheblu në objektivat e tyre. Krizë financiare edhe në Vlorë, ku administrator Sinan Idrizi po bën çmos të mbajë ekipin të grumbulluar dhe që lojtarët të mos largohen.
Por kryesorët si Bushiç dhe Danilo Alvesh janë hedhur në sulm, kërkojnë medoemos pagat e prapambetura. Në Vlorë po zien dhe nëse vijon kjo gjendje skuadra mund të përcahet dhe elementët cilësorë të largohen nga gjiri i kuqezinjve. Krizë edhe në aksin Kamzë-Krujë. Edhe pse mohohet të ketë probleme të kësaj natyre, fakti që nuk ka projekt për përforcime në treg dhe, përkundër arsyes, synohet të shiten sa më shumë, tregon gjendje krize.
Edhe Skënderbeu mësohet se ka probleme dhe, ndërsa të gjithë presin çfarë do të thotë Gjykata Sportive e Lozanës, skuadra po humbet terren në Superiore dhe humbjet e fundit janë dëshmi që diçka nuk shkon në gjirin e skuadrës korçare. Vetëm për Laçin ka terr informative në lidhje me këtë aspekt, por fakti që kurbinasit po ecin mirë dhe kanë pretendime tregon se kriza nuk i ka dhënë efektet e saj. Teuta, një nga ekipet pretendente, ka problemet e saj.
Disa lojtarë po largohen dhe pavarësisht deklaratave të klubit se po synohen afrime cilësore në treg, në të vërtetë më shumë duan të ikin sesa të afrohen. Duket qartë se rrugëtimi i deritanishëm është pozitiv, por nuk ofron garanci për vazhdimësinë dhe një luhatje e vogël në financa do të sillte shkërmoqjen e objektivave menjëherë sapo të startojë faza e tretë e garës. Mbeten vetëm dy ekipe që nuk kanë dhënë shenja krize, Partizani dhe Kukësi, e jo rastësisht janë në krye.
Madje këto dy ekipe kanë nisur valën e merkatos pa hyrë zyrtarisht afati i transferimeve dimërore. Pazari po bëhet kryesisht në Gjirokastër, por edhe në Kamzë e Krujë, madje dhe tek Tirana e Teuta. Vlora mbetet “në ajër”, kështu që mund të jetë një preh e lehtë për klubet që synojnë titullin. Me pak fjalë, këtë kampionat po e kushtëzojnë financat. Kjo është aq e dukshme sa Luftëtari me një grup cilësor rrezikon të shpërbëhet për pak ditë.