AlbanianSport.com 21/01/2024 23:35
ASNN – Ylli portugez, Kristiano Ronaldo, kundër çmimeve të fituara nga Lionel Mesi: “Topi i Artë” dhe “The Best” po e humbasin besueshmërinë. Ai është padyshim një fenomen marketingu, duke qenë më i ndjekuri në botë në rrjetin social “Instagram”, por edhe duke sfiduar moshën, teksa e mbylli 2023-shin si shënuesi më i mirë në botë, në kuotën e 54 golave.
Dhe, megjithëse portugezi zgjodhi Lindjen e Mesme për të vazhduar karrierën, kurse Lionel Mesi u zhvendos në Perëndim, në SHBA, rivaliteti midis tyre nuk u shua, por është objekt diskutimesh sa herë bëhet fjalë për arritjet dhe çmimet e fituara prej tyre. Dhe Kristiano Ronaldo ishte i drejtpërdrejtë dhe pa komplekse teksa komentoi së fundmi çmimet “Topi i Artë” të “France Football” apo “The Best” të FIFA-s.
Në një intervistë për gazetën portugeze “Record”, ai shprehu rezerva për vlerësimet që jep FIFA dhe revista franceze. “Mendoj se në një farë mënyre, “Topi i Artë” dhe “The Best” po humbasin besueshmërinë, – ka deklaruar futbollisti i El-Nasrit në Arabinë Saudite. – Nuk do të thotë se Lionel Mesi nuk e meritonte, as Erling Ha’aland, madje as Kilian Mbapé”.
Po kështu, portugezi theksoi se as ai nuk duhej të ishte as fituesi i çmimit si lojtari më i mirë në botë dhe la të kuptohej se Çmimet “Globe Soccer”, të dhëna ditët e fundit në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ishte një vlerësim më i drejtë. “Thjesht nuk e meritoj më, – tha 39-vjeçari. – Prandaj nuk besoj më në këto çmime. Dhe kjo nuk është sepse u vlerësova në Çmimet “Globe Soccer”.”
“Por ato janë fakte, janë numra, – ka vijuar ai. – Dhe numrat nuk gënjejnë. Nuk ma marrin dot këtë trofe për golashënuesin më të mirë të vitit sepse është realitet. Kjo më bën edhe më të lumtur.” Deklaratat e Ronaldos erdhën pas ceremonisë së Çmimeve “Globe Soccer”, ku ai u vlerësua me çmimin e golashënuesit më të mirë të viti që lamë pas, të njohir si çmimi “Maradona”, por edhe atë të tifozëve.