AlbanianSport.com 18.04.2015 09:45
ASNN – Para se të vinte në Kosovë, Presidenti i IOC-së, Tomas Bah, ka vizituar Serbinë, ku ua ka bërë të qartë serbëve se vendimi për pranimin e KOK-ut në gjirin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar është i prerë dhe se nuk ka kthim prapa. Ai ka këmbëngulur se institucioni që e drejton, e ka pranuar Kosovën në gjirin e tij për interesat, të drejtën dhe të mirën e sportit ndërkombëtar.
“Sporti ndërkombëtar dhe IOC-ja janë autonome dhe e kanë marrë një vendim në bazë të interesit të sportit ndërkombëtar dhe rregullave, – u ka thënë Bahu serbëve. – Për këtë arsye, IOC-ja e ka pranuar Kosovën. Ky vendim nuk bazohet në territorin e vendit dhe as nëse është anëtar i Kombeve të Bashkuara.”
“Më shumë se 100 vende e kanë njohur Kosovën dhe kjo është ajo që e kemi marrë në konsideratë”, – ka shtuar ai. Duke folur përsëri për pranimin e Kosovës në IOC, Bahu ka thënë se organizata që e drejton ka dashur t’ju ofrojë mundësi sportistëve për t’ju bashkuar sportit olimpik dhe olimpiadave, sepse dëshironte ta shihte sportin si një formë të integrimit, pa diskriminime.