AlbanianSport.com 30/04/2020 21:10
ASNN – Kriza e shkaktuar nga koronavirusi ka nxjerrë në pah edhe një herë faktin se sporti, e për më tepër futbolli, nuk është thjesht një sport, por një industri, që prej shumë më shumë sesa jetët e atyre 11 lojtarëve që zbresin në fushës së blertë. Dhe nuk është çudi që po ngrihen edhe zëra që futbolli të rikthehet sa më shpejt në fushën e blertë, por edhe sa më shpejt në normalitet. Në Zvicër, është Bazeli që ka dalë hapur kundër rinisjes së kampionatit pa praninë e tifozëve.
Presidenti i klubit të njohur helvet, Bernhard Burgener, ka folur pa doreza në një intervistë për median vendase, “SRF”, dhe ka theksuar se nuk u interesojnë shumë të ardhurat nga e drejta televizive, pasi prej tyre sigurojnë vetëm 10% të prurjeve në buxhet. Kreu i klubit zviceran është i qartë, teksa kërkon që kampionati të luhet me tifozë në stadiume, pasi ndryshe do t’u shkaktonte atyre edhe më shumë humbje në aspektin financiar.
“Të ardhurat kryesore na vijnë nga spektatorët, nga përfitimet që kemi prej stadiumet, nga sponsorët e ndryshëm, marketingu dhe transferimet”, – këmbëngul Burgeneri, i cili më tej tregon edhe shifrën që do u duhet të shpenzojnë për çdo ndeshje në raste se do të luhet me dyer të mbyllura. “Të luash me dyer të mbyllura do të thotë më shumë kosto për ne, ndërkohë që arkëtimet do të jenë zero, – thotë ai. – Për një ndeshje do të na duhet të shpenzojmë 300 mijë franga.”