AlbanianSport.com 05.03.2017 15:50
ASNN – Java e 24-t e Kategorisë Superiore, e cila i ka luajtur të shtunën 3 takimet e saj të para, ka vijuar sot me dy takimet e tjera dhe, duke nisur nga ora 14:00, Laçi ka pritur Partizanin, në takimin që u fitua minimalisht nga të kuqtë kryeqytetas, me golin e vetëm të realizuar nga Krasniqi.
Ndërkaq, duke nisur nga ora 17:00, Kukësi është mysafir në Vlorë, ku do të ndeshet me Flamurtarin. Kjo ndeshje do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt, kjo është një sfidë skajesh, pasi Kukësi mban vendin e dytë në renditje, me 47 pikë, një pak sesa Skënderbeu kryesues, që ka luajtur një ndeshje më tepër. Ndërsa Flamurtari është i parafundit në renditje, me 21 pikë, dhe aktualisht në zonën e rënies nga Kategoria Superiore në atë Të Parën. Dy takimet e para të javës së 24-t janë luajtur të shtunën dhe, në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, dueli Korabi-Tirana u mbyll në barazim 1-1. Ndërkohë, në barazim u mbyll edhe ndeshja tjetër mes Luftëtarit dhe Vllaznisë. Por në ndryshim nga takimi Korabi-Tirana, në këtë ndeshje rrjetat mbetën të paprekura. Ndeshja e fundit e së shtunës ishte ajo që u luajt në mbrëmje në Korçë, midis Skënderbeut dhe Teutës, që gjithashtu u mbyll në barazim 1-1.