AlbanianSport.com 15/10/2021 17:10
ASNN – Gazeta zvicerane “Blick” shkruan se ish-futbollisti është emri më i fundit që përflitet. Aleksandër Frai mund të jetë trajneri i ardhshëm i Kosovës. Krahas shumë emrave për të marrë postin e skuadrës së “Dardanëve’, kandidati i radhës mund të jetë pikërisht ish-futbollisti i njohur. Kështu ka shkruar të premten gazeta zvicerane “Blick”.
42-vjeçari Frai është hëpërhë trajner i skuadrës së FC Vilit, që militon në kategorinë e dytë të futbollit zviceran. Më herët ka udhëhequr skuadrat e grupmoshave të reja të Bazelit, për t’u bërë trajner i përkohshëm i ekipit të parë të Baselit në vitin 2018. Si futbollist Frai ka luajtur për shumë skuadra të njohura si Bazeli, Borusia e Dortmundit, Rena, Servete, Lucerna dhe FC Tuni.
Ndërkohë, ai ka qenë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës për 10 vjet, duke luajtur 84 ndeshje dhe duke shënuar 42 gola. Ende nuk ka asnjë reagim nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila, pak ditë më parë, ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin e përfaqësueses, Bernard Shalondë. Një gjë e tillë u bërë zyrtare të mërkurën në mesditë.
Dhe vetë trajneri është shprehur i mërzitur për këtë vendim, duke thënë se ka kaluar shumë kohë të mira te Kosova. Presidenti i Federatës së Futbollit (FFK), Agim Ademi e ka falënderuar trajnerin Shalond për punën e bërë, sidomos në ndeshjet e Ligës së Kombeve të Evropës. Ademi ka thënë se vendimi ishte i përbashkët dhe se, hëpërhë, FFK-ja nuk ka ndonjë kandidaturë tjetër si trajner.
Ai ka thënë se edhe dy ndeshjet tjera do të vazhdojnë punën me stafin e trajnerit dhe pastaj do të vendoset. Të martën, Kosova u mund 1-2 në Prishtinë nga Gjeorgjia, duke pësuar humbjen e 5-të në këto Eliminatore dhe duke zbritur në vendin e fundit të renditjes së grupit B të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2021”.