Nga Tahir Sopi (Koha Ditore) 07.12.2016 12:55
Kur punët shkojnë keq, zakonisht thuhet se “po flitet shumë e po punohet pak”, por kur bëhet fjalë për infrastrukturën sportive në Kosovë, autori i disa librave për sportin, trajneri i volejbollit dhe gazetari shumëvjeçar, Xhavit Kajtazi, thotë se “është folur pak, e është punuar edhe më pak”.
Ai e përshkruan të mjerueshme gjendjen e tanishme të infrastrukturës dhe të dhimbshme vitet e humbura, plot 17 vjet nga mbarimi i luftës. Kajtazi ngul këmbë se shteti ka dështuar plotësisht në këtë aspekt, pasi merret vetëm me riparime dhe jo me ndërtimin e objekteve kombëtare të sportit.
Në intervistën dhënë gazetës, ai përmend edhe ndërhyrjet politike në ato pak investime që janë bërë. AlbanianSport.com jua sjell intervistën e tij në 3 pjesë, të hënën, të martën dhe sot. Intervista botohet me lejen e autorit të intervistës dhe të gazetës së mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”.
… vijon nga dje
– Sa mjaftojnë buxhetet që ndahen për investime kapitale?
– Absolutisht, jo. Jemi shtet i vogël dhe kemi buxhet të vogël, ndoshta dikush mendon se janë shumë pesë milionë euro në vit. Asnjëherë nuk është shumë të investohet në sport dhe kulturë që janë ambasadorët më të mirë të një shteti. Ne kemi rini të mjaftueshme dhe për këtë brumë duhen investime. Marrim rastin e Majlinda Kelmendit. Ne nuk do ta kishim një sportiste sikurse Majlinda, nëse nuk do të ishte Driton Kuka me angazhimin e tij dhe projektin vetjak. Madje, do të thosha se falë Dritonit dhe Majlindës është përshpejtuar jetësimi i Ligjit për sport, e dhëntë Zoti këtë fat ta ketë edhe Ligji për sponsorizim.
– Si i vlerëson shpërndarjen e këtyre pak buxheteve në shumë stadiume, që më shumë duken si arnime?
– Arnimet asnjëherë nuk janë të mira. Mirëmbajtja është ajo që i duhet infrastrukturës sportive. I kam vizituar të gjitha objektet sportive në Kosovë dhe mund të them se stafi mirëmbajtës është jashtëzakonisht i dobët apo nuk ekziston fare. Nëse tash ndërtohet një palestër sportive, mirëmbajtja është katastrofale, pasi gjithçka është e papastër dhe kundërmon. Në futboll ende kemi sot fusha, të cilat duhet të marrin leje nga Komisioni përkatës për t’u pranuar që të zhvillohet një ndeshje kampionati. Nuk mund të krenohemi me arnime dhe objekte të tilla. Stadiumi olimpik ‘Adem Jashari’ pas gjithë atyre investimeve, ende ka mangësi të shumta. Tartani në shtegun e atletikës është katastrofal, nuk i plotëson as kriteret minimale për gara.
– Edhe në ato pak investime që janë bërë, është folur për ndërhyrje politike…
– Gjithmonë ka, për fat të keq, dhe për këtë arsye jemi në këtë gjendje ku jemi. Këto implikime vetëm se i bëjnë dëm sportit. Njerëzit e politikës duhet ta përkrahin sportin, sepse sporti nuk ka parti. Nëse nisemi nga parimi që klubet duhet të jenë partiake, atëherë me dorën tonë e kemi varrosur sportin.
– A mund të thuhet se ka dështuar shteti në këtë aspekt?
– Gjithsesi. Shteti ka dështuar plotësisht për shkak se merret me riparime e nuk kemi asnjë objekt kombëtar të sportit. Palestra e madhe me 7.500 shikues që është djegur po shërben për parking. Nëse i themi vetes shtet duhet të përpiqemi që të investojmë në infrastrukturë sportive. Mund të marrin shembuj nga rajoni ku janë shumë më të varfër dhe buxhet më të vogël, por infrastrukturën e kanë shumë më të mirë. Kjo me çudit. Si mundet që Maqedonia të ketë një qendër sportive “Boris Trajkovski” dhe një stadium futbolli të rindërtuar si ai “Filipi II” dhe ne jo. Pse nuk marrin shembull nga ky shtet që ka telashe të mëdha financiare? Po shpresoj që më në fund politika të ndërgjegjësohet dhe ta ndihmojë sportin. Infrastruktura po them edhe njëherë se është në gjendje të mjerueshme dhe ka nevojë për dorën e shtetit. Prishtina pa stadium, Përfaqësuesja nuk ka ku të zhvillojë ndeshjet. Si ta cilësojmë ndryshe? Vërtet, është për të të ardhur keq.