AlbanianSport.com 26.08.2015 17:55
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, ka kërkuar mbështetje për pranim në UEFA e FIFA nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kroacisë, Davor Shuker. Të martën, Vokrri është pritur nga homologu Shuker në selinë e Federatës Kroate në Zagreb.
“Kam kërkuar mbështetjen nga Federata e Futbollit e Kroacisë, meqë jemi në një fazë të rëndësishme të lobimit për pranim në UEFA dhe FIFA, – ka thënë Vokrri të martën për gazetat kosovare. – Në këtë takim është biseduar edhe për arritjet e futbollit të Kosovës dhe atij të Kroacisë”
Federata kosovare shpreson që në muajin mars të vitit të ardhshëm të pranohet në UEFA dhe FIFA, pasi FFK-ja ka aplikuar për pranim në dy institucionet më të mëdha të futbollit. Në janar të vitit të kaluar, Kosovës iu dha leja nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore.
Por që nga ajo kohë, nuk ka ndonjë hap para për pranim, pavarësisht punës së vazhdueshme të FFK-së. Kreu i organizmit që qeveris futbollin kroat dhe ish-lojtari i njohur, Davor Shuker, është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Edhe Federata kroate ka njoftuar për takimin me FFK-në, por pa dhënë shumë detaje.