AlbanianSport.com 13.06.2016 21:15
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, me shumicën e votave të delegatëve pjesëmarrës, Federata e Skive e Kosovës (FSK), është pranuar si anëtare me të drejta të barabarta me të gjithë anëtarët e vendeve të tjera në Federatën Ndërkombëtare të Skive (FIS).
Lajmi është bërë i ditur ditë më parë nga vetë FSK-ja, e cila ka thënë se “ky është një lajm shumë i mirë për Republikën e Kosovës e sidomos për sportin e skive, sport i cili do të zhvillohet me hapa shumë të shpejtë tani e tutje.” “Kjo është arritje e madhe si pasojë e punës së palodhshme e të gjithë bordit të FSK-së”, – thuhet më tej në njoftimin e kësaj federate.
Në votimin, që është zhvilluar në Kankun të Meksikës, 61 anëtarë kanë votuar pro ndërsa 42 ishin kundër, midis të cilave edhe Serbia. Argumenti kryesor në këtë arritje të radhës ishte se Kosovën e ka njohur edhe Komiteti Ndërkombëtar Olimpik. Ndërkaq, Federata Serbe e Skive ka kërkuar që pika për votimin për pranimin e Kosovës në këtë Federatë të hiqet nga rendi i ditës, mirëpo kjo kërkesë është refuzuar.