AlbanianSport.com 20/10/2018 14:35
ASNN – Kosova vijon të ngjitet në renditjen e FIFA-s me sukseset që po arrin këtë vit. Nën drejtimin e trajnerit francez, Bernard Shalondë, ajo nuk njeh humbje dhe në 7 deshje të zhvilluara gjatë 2018, pesë prej tyre janë fitore.
Aktualisht “Dardanët” janë në vendin e 138-të në renditjen e FIFA-s, por synojnë që të përfshihen në 100 më të mirët shumë shpejt sipas kapitenit Samir Ujkani. “Jemi të lumtur për atë që kemi arritur”, – tha portieri i Kosovës për faqen zyrtare të FIFA-s.
“Dhe mendoj se do të jemi në 100-shen e parë brenda pak muajsh, – ka vijuar ai. – Ky është objektivi ynë. Më vonë do të vendosim objektiva të tjerë.” Hëpërhë, përfaqësuesja më e re në Evropë kryeson Grupin D3 të Ligës së Kombeve.
Ajo synon të ngjitet në Divizionin C. Natyrisht synimi kryesor është kualikimi për në fazën finale të Evropianit ose Botërorit. “Në dy ose tre vite, Kosova do të ketë ecur mjaftueshëm për tu kualifikuar në fazën e grupeve të një turneu madhor”, – shtoi Ujkani.
Kosova u pranua në UEFA e FIFA vetëm dy vite më parë, ndërsa rezultatet janë mbresëlënëse në kaq pak kohë.