AlbanianSport.com 06.05.2016 11:15
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Beogradit, organizmit që qeveris futbolli evropian, UEFA, i ka dërguar një letër Federatës së Futbollit të Serbisë, lidhur me përzierjen e politikës dhe politikanëve në futboll.
Gazeta serbe “Veçenje Novosti” shkruan në numrin e saj të së enjtes se ankesa e fshehtë diplomatike e UEFA-s për Federatën Serbe u bë për shkak se për pranimin e Kosovës në UEFA kanë folur zyrtarë qeveritarë të Serbisë.
“Një gjë të tillë, UEFA e ka interpretuar si veprim jologjik dhe përzierje direkte të politikës në sport”, shkruante e përditshmja serbe në fjalë. Serbët e kanë kundërshtuar ashpër pranimin e Kosovës gjatë dhe pas Kongresit të UEFA-s.
Por të enjten në një takim që ka mbajtur Këshilli për Çështje Urgjente i Federatës Serbe, nuk është njoftuar të jetë diskutuar për Kosovën, megjithëse më herët ishte paralajmëruar se do të diskutohej edhe për atë.
Ndërkohë ka pasur reagim nga Republika Srpska e Bosnjë-Hercegoninës që ka kërkuar të fitojë të drejtën të luajë ndeshje miqësore me përfaqësuesen saj.