AlbanianSport.com 10.10.2015 14:25
ASNN – Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçika uruar përfaqësuesen e Kosovës në futboll, e cila përballet sot me Guinenë Ekuatoriale, duke shprehur njëherësh besimin e plotë që së shpejti do të anëtarësohet me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA. “I uroj sukses skuadrës përfaqësuese të Kosovës që pas pak do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Guineas Ekuatoriale, – ka shkruar Thaçi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
“Bashkë me këtë urim shpreh edhe besimin e plotë që së shpejti do të anëtarësohemi në FIFA dhe UEFA dhe do t’i shohim djemtë tanë që të mbrojnë ngjyrat e flamurit të Kosovës në garat dhe fushat më prestigjioze futbollistike botërore”, – ka shtuar ai. Kosova e luan sot miqësoren kundër Guinesë Ekuatoriale, duke nisur nga ora 15:00. Nga ana tjetër, përballja me Përfaqësuesen e Kosovës do të jetë një test i mirë për Guinenë Ekuatoriale.
Muajin e ardhshëm, ajo luan dy ndeshje paraeliminatore kundër Marokut për t’u futur në grupin eliminator të zonës së Afrikës për Kampionatin Botëror “Rusi 2018”. Kështu ka thënë dje trajneri i Guinesë Ekuatoriale, argjentinasi Esteban Beker, i cili të premten në stadiumin e Prishtinës mbajti një seancë stërvitore në prag të ndeshjes miqësore me Kosovën. Beker i ka falënderuar të gjithë për mikpritjen e ngrohtë, duke shtuar se për këtë duel nuk i ka në dispozicion katër lojtarët kryesorë, të impenjuar me klubet e tyre.