AlbanianSport.com 28.10.2014 09:45
ASNN – Kampionia e Kosovës në basketboll për meshkuj, SIGAL Prishtina, do të luajë sot ndeshjen e saj të tretë në Ligën Ballkanike për meshkuj. Në dy ndeshjet e para të këtij sezoni në Ligën Ballkanike, bardhekaltrit kanë shënuar dy fitore dhe të njëjtën gjë synojnë ta bëjnë edhe në sfidën e radhës, e cila sipas krerëve të kryeqytetasve do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi sipas tyre, Krajova është një nga skuadrat më të forta në Ligën Ballkanike.
Ramadan Gagica, zëdhënësi i SIGAL Prishtinës, të hënën në konferencën për shtyp ka thënë se skuadra kreyqytetase është gati për duelin e radhës. Sipas tij përballja me Krajovën do të jetë një lojë shumë e rëndësishme për SIGAL Prishtinën, sepse qëllimi është që të vazhdohet serija e fitoreve në Ligën Ballkanike. Gagica thotë se ndeshja nis sot në orën 18:30, ndërsa biletat do të dalin në shitje në orën 11:30 tek Sheshi dhe te Monumenti i “NEWBORN”.
Sipas Gagicës interesimi për ndeshjen SIGAL Prishtina-Krajova është shumë i madh.