AlbanianSport.com 29.10.2014 17:05
ASNN – SIGAL Prishtina, rivali i Vllaznisë në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, ka marrrë fitoren e tretë në grupin B, teksa ka mundur në Pallatin e Sportit e të Rinisë në Prishtinë, rumunët e Krajojës, 92-76. Prishtina i është hakmarrë rumunëve për humbjen në edicionin e kaluar. Vendësit e kanë nisur keq ndeshjen, ndërsa në pjesën e parë kanë humbur 22-25.
Në 10-minutëshin e dytë, “Plisat” u rikthyen fuqishëm dhe SIGAL-i ka fituar 26-18, ndërsa në pushim kanë shkuar në dhomat e zhveshjes me epërsinë 48-42. Në gjysmën e dytë sërish më mirë e nisi lojën Krajova, që pjesën e tretë e përmbylli me një pikë më shumë, 21-20. Por në periudhën e fundit të takimit, Prishtina “shkeli” rumunët, duke i mposhtur me rezultat 24-13 dhe duke e fituar të gjithë ndeshjen 92-76.
Lojtari më i dalluar i Prishtinës në javën e tretë të Ligës Ballkanike ishte Dardan Berisha që shënoi 27 pikë. Pejani u ndihmua nga Aron Mekgi me 22 pikë. Te mysafirët më i miri ishte Milivoje Bozoviç me 22 pikë. Kjo fitore e mban Prishtinën në vendin e parë të grupit B me gjashtë pikë në 3 ndeshje të luajtura, ndërsa takimi tjetër i grupit, Vllaznia-Mornar i Tivarit, u fitua në tavolinë nga malazezët, 20-0.
Liga Ballkanike e Basketbollit – Meshkuj
Grupit B
Java e 3-të:
(28 tetor 2014)
Vllaznia – Mornar Tivar 0-20 (në tavolinë)
SIGAL Prishtina – Krajova 92-76
Kozuv pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- SIGAL Prishtina 3 3 0 264-215 6
- Kozuv 2 2 0 172-150 4
- Mornar 3 1 2 166-172 4
- Krajova 2 0 2 160-179 2
- Vllaznia 2 0 2 59-105 2