AlbanianSport.com 04.08.2015 10:55
ASNN – SIGAL Prishtina do të jetë në Konferencën 2 në garën e klubeve të FIBA Evropës. Kjo e fundit e ka njoftuar zyrtarisht dje Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) me më të rejat në lidhje me veprimtarinë e klubeve të FIBA Evropës, në të cilën ligë do të marrin pjesë 56 ekipe në edicionin 2015-2016. 56 skuadrat do të ndahen në 2 Konferenca që janë bazuar në afërsinë gjeografike, por edhe në numrin e klubeve të regjistruara nga një shtet.
Shorti është përgatitur në bazë të pjesëmarrjes së skuadrave dhe rezultateve në veprimtaritë evropiane në nivel të nivel të klubeve në disa vitet e fundit si dhe në bazë të renditjes së ekipeve në veprimtaritë kombëtare në edicionin e fundit. Skuadra e vetme kosovare që do të konkurrojë në këtë ligë, Sigal Prishtina është pjesë e Konferencës 2. Ndeshjet e kësaj lige do të luhen të martën ose të mërkurën.
Datat e sakta të ndeshjeve të edicionit të rregullt do të bëhen të ditura ditën e martë (04.08.2015), kur edhe do të hidhet shorti në Munih të Gjermanisë. Sistemi i garave do të jetë kështu: 56 klubet do të ndahen në short në 14 grupe nga 4 ekipe. Secili klub do të luaj me klubin e grupit të tij në ndeshjet brenda dhe jashtë (6 ndeshje për secilën skuadër). Kjo është sa i përket edicionit të rregullt, pasi në fazën tjetër do të kualifikohen 32 klube të cilat do të ndahen në 8 grupe nga 4 skuadra.
Secili ekip do të luaj me ekipet e grupit të tij në ndeshjet brenda dhe jashtë vendit (6 ndeshje për secilën skuadër). Ndërkaq në “play-off” do të marrin pjesë 16 klube nga 32, kurse fituesit e 16 klubeve do të kualifikohen për në çerekfinale. Në “Final Four” (4-shen finale) do të kualifikohen fituesit e çerekfinaleve dhe fituesit e tyre për ne finale, ndërsa humbësit për vend të tretë. “Final Four”-i do të luhet të premten dhe të dielën. Garat në këtë ligë do të fillojnë më 28 tetor 2015 dhe do të përfundojnë më 1 maj 2016.