AlbanianSport.com 09.10.2015 14:20
ASNN – SIGAL Prishtina është e interesuar të kthejë në radhët e veta Dardan Berishën, nëse ai largohet nga skuadra e Cibonës. Kështu ka deklaruar të enjten Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL Prishtinës, Florian Miftari, i cituar nga mediat e Prishtinës. Ishte vetë Berisha, i cili të mërkurën paralajmëroi mundësinë e shkëputjes së kontratës me ekipin kroat.
Berisha ka treguar se problemet financiare te Cibonës janë të mëdha dhe në rast se gjatë këtyre ditëve nuk ndodh diçka konkrete, atëherë do të jetë i detyruar të largohet. Gjithashtu ai ka lënë të hapur mundësinë e kthimit në Kosovë. Para fillimit të këtij edicioni, Berisha firmosi kontratë trevjeçare me Cibonën pas një edicioni mbresëlënës ku edhe u zgjodh “Lojtari më i Vlefshëm (MVP) i Ligës Ballkanike.
Ai në edicionin 2015-2016 ka zhvilluar tri ndeshje në Ligën ABA dhe në të tria ishte titullar. “Ende nuk ka asgjë konkrete, por mund të largohem, – ka thënë basketbollisti 1 m e 91 cm). – Ka dy muaj që jam duke pritur. Nëse brenda këtyre ditëve nuk ndërron diçka, atëherë jam i detyruar të largohem.” Ndërkohë, sipas drejtorit Miftari, te SIGAL Prishtina, Berisha i ka dyert e hapura.