AlbanianSport.com 13.11.2015 11:35
ASNN – Kosova dhe Shqipëria përballen sot me njëra-tjetrën në një ndeshje miqësore, e cila ka më tepër vlera festive sesa sportive. Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi, ka mbërritur mbrëmë në Prishtinë, ku është pritur në mënyrë mjaft të ngrohtë dhe me nderimet më të mëdha.
Në pritjen e organizuar nga Kryeministri Isa Mustafa, kanë marrë pjesë lojtarë dhe trajnerët e të dyja skuadrave përfaqësuese si dhe drejtuesit e të dyja Federatave të Futbollit. Në fjalën e tij, Mustafa i ka cilësuar futbollistët e të dyja skuadrave si krenaria e gjithë kombit shqiptar dhe veçanërisht Kombëtaren kuqezi si përçuese të vlerave më të mira të popullit shqiptar.
Ndërkaq, më herët kanë dalë për një konferencë për shtyp në Prishtinë trajneri i Kombëtares kuqezi, De Biazi, si dhe kapiteni Lorik Cana. Trajneri De Biazi ka theksuar se, përtej atmosferës festive, ndeshja me Kosovën është e rëndësishme, sepse mbetet sidoqoftë, një provë e mirë për Kombëtaren kuqezi, e cila nuk është se do të ketë shumë mundësi të mira për ta provuar veten deri në Evropianin e vitit të ardhshëm.
Edhe homologu i tij, trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku, e ka pohuar se do të mbizotërojë atmosfera festive, por pret që në fushën e lojës, futbollistët e të dyja skuadrave të japin maksimumin e tyre, në mënyrë që të kënaqin edhe sportdashësit në stadium. Takimi Kosovë-Shqipëri do të luhet në Stadiumin e Prishtinës.