AlbanianSport.com 28.12.2016 12:55
ASNN – Trajneri i ekipit të Nën-21-vjeçarëve të Kosovës, që ashtu sikundër edhe ato të Shqipërisë njihet si “Shpresat”, Rafet Prekazi, ende nuk e di se me cilët futbollistë do ta nisë fazën eliminatore për Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe për vitin 2019. Sipas mediave të Prishtinës, ai është ende në fazën e formimit të ekipit dhe të testimit të lojtarëve, ndonëse i kanë mbetur vetëm edhe 3 muaj në dispozicion, para se të nisin këto Eliminatore.
Për të formuar ekipin, përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Kosovës është duke mbajtur grumbullim në Shqipëri, në Durrës, kryesisht me lojtarë që luajnë në klubet e huaja. Prekazi shpreson që nga ky grup i lojtarëve që është duke i testuar të nxjerrë një listë përfundimtare, por ai llogarit edhe në disa lojtarë nën moshën 21-vjeçare që janë pjesë e ekipit të të rriturve të Kosovës. Kjo e fundit ka disa të tillë, si Milot Rashica, Ardian Ismajli, Bersant Celina, Valmir Sulejmani, Labinot Kabashi dhe disa të tjerë.
Por trajneri i ekipit të parë, Albert Bunjaku, nuk mendon se është ide e mirë që të japë lojtarë për ekipin Shpresa. Ekipi i Prekazit përbëhet kryesisht nga lojtarë të rinj. “Llogarisim edhe në ndonjë lojtar të ekipit të të rriturve të Kosovës, – ka thënë trajneri i Shpresave të Kosovës, i cituar nga mediat e Prishtinës. – Ne bisedojmë rregullisht me Bunjakun, si unë, si trajnerët e përfaqësueses së Nën-19 dhe Nën-17-vjeçarëve. Këto janë normale.”