Albaniansport.net 18.01.2016 12:20
ASNN – Pushteti lokal i Prizrenit synon rregullimin e stadiumit të qytetit. E përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore” raporton sot se autoritetet lokale të qytetit të “Lidhjes” kanë paralajmëruar investime për ndërtimin e tribunave si dhe rregullimin e përgjithshëm të stadiumit “Përparim Thaçi”.
Lajmin për nisjen e projektit e ka bërë të ditur kreu i Kuvendit të Komunës, Kujtim Gashi, i cili ka shprehur qëndrimin se ka ardhur koha për investime serioze në këtë stadium. “Komuna e Prizrenit, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me kryesinë dhe kryetarin e klubit, ka hartuar projektin për ndërtimin e tribunave të stadiumit në katër anët e tij,”
“Këtu përfshihet edhe ndërtimi i shumë lokaleve nën tribuna, ndërrimi i barit të fushës dhe pajisjet e nevojshme për një stadium me standarde të duhura”, – ka shtuar ai.
Sipas Gashit, punimet do të fillojnë pas përfundimit të procedurave tenderuese, dhe do të zhvillohen gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm.
“Financimi do të bëhet nga Komuna e Prizrenit”, – ka përfunduar kreu i Kuvendit të Komunës, Kujtim Gashi, duke folur për “Kohën Ditore”.