AlbanianSport.com 28.12.2014 20:45
ASNN – Edhe Kosova po projekton ndërtimin e një Stadiumi të ri Kombëtar, që, sipas Ministrit të ri të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve,Kujtim Shala, do të ndërtohet në Prishtinë. Aktualisht përfaqësuesja e Kosovës ndeshjet i luan në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” të Mitrovicës, ndërsa edhe kryeqyteti, Prishtina, ka një stadiumi të madh, por që ka nevojë urgjente për rikonstruksion.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e Kosovës, Kujtim Shala, ka bërë të ditur ditët e fundit se do të nisin së shpejti procedurat për ndërtimin e një stadiumi kombëtar në Prishtinë. Në takimin e tij njohës me gazetarët në këtë fundvit, ministri Shala tha se për këtë gjë do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Do të takohem me kryetarin e Prishtinës për të shikuar mundësinë e përcaktimit së tokës për realizimin e këtij projekti”, – tha Shala. Ai tha se është përcaktuar edhe buxheti për fizibilitetin e stadiumit që do të shërbejë si arenë e ndeshjeve të ekipit përfaqësues të Kosovës në futboll. Në këtë takim, Shala prezantoi objektivat dhe planet e kësaj ministrie për vitin 2015.
Ai ka theksuar se buxhetin që ka propozuar për miratim si Ministri dhe që do të jetë i përqendruar në infrastrukturën sportive, kap një shifër prej rreth 8 milionë euro. Aktualisht Kosova ndeshjet i luan në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” të Mitrovicës, ndërsa edhe kryeqyteti, Prishtina, ka një stadiumi të madh, por që ka nevojë urgjente për rikonstruksion.