AlbanianSport.com 28.03.2015 23:05
ASNN – SIGAL Prishtina e ka mposhtur Bashkimin me rezultatin 81-70, në takimin e zhvilluar në kuadër të javës së 25-të në “ETC” Superligën e Kosovës në basketboll për meshkuj, duke ruajtur vendin e parë në tabelën e renditjes.
Prishtina nisi më mirë ndeshjen, duke dominuar në dy periudhat e para. Dhjetëminutëshi i parë përfundoi me 7 pikë në favor të “Plisave”, në shifrat 21-14, ndërsa në periudhën e dytë, kryeqytetasit e shtuan epërsinë edhe me 5 pikë tjera.
Në periudhën e tretë, Bashkimi befasoi bardhëkaltërit, duke ngushtuar diferencën në 3 pikë, pasi e mori këtë 10-minutësh me rezultatin 23-15. Por, në minutat e fundit SIGAL Prishtina u ngjall dhe me shifrat 23-15, arriti të siguronte fitoren e 23-të sivjet.
Lojtari i ndeshjes ishte Xhulian Mavunga, i cili shënoi 18 pikë, pati 13 topa të zotëruar në tabelë dhe 8 pasim për kosh. Prishtina mbetet e para në renditje, me 48 pikë, një më shumë se Peja.
Në mesjavë prishtinasit takohen me Kozhuvin, në takimin e parë të gjysmëfinaleve të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj.