AlbanianSport.com 11/11/2018 22:05
ASNN – Klubi i futbollit të Prishtinës arriti sot një tjetër fitore të rëndësishme në kampionatin kosovar të futbollit, pasi mundi me shifrat 2-0 skuadrën e Ballkanit, e me këtë sukses mban sërish kreun e renditjes në Superligën e Kosovës në futboll. Kështu, në kuadër të javës së 15-të të kampionatit kosovar, Prishtina e Mirel Josës korri një tjetër sukses të rëndësishëm 3-pikësh.
Kështu, skuadra kryeqytetase arrin të mbajë në pozita të forta kryesimin e renditjes. Për ekipin e Josës realizuan golat Mario Morina dhe Meriton Korenica, dy prej futbollistëve më të spikatur të Prishtinës. Me këtë fitore, skuadra e Josës shkon në kuotën e 36 pikëve, 4 më shumë sesa vendi i dytë që mbahet, për momentin, nga Ferronikeli. Dy ndeshjet e tjera të ditës së sotme dhuruan gjithashtu fitore të ekipeve pritëse.
Kështu, Gjilani mundi Drenicën 1-0, kurse Trepca 89 mposhti me shifrat e thella 4-1 skuadrën e KEK-ut. Nga ecuria e garës në kampionatin kosovar mund të thuhet se ka një rivalitet të spikatur, por shanset në fund janë që të garojnë tri skuadra për titull, që janë Prishtina, Ferronikeli, si dhe kampionia në fuqi e sezonit të kaluar, Drita, e cila këtë edicion udhëhiqet nga një tjetër trajner nga Shqipëria, Shpëtim Duro.